Heqja e dhëmbëve dhe e rrënjëve të mbetura
Heqja e dhëmbëve është një ndërhyrje rutinë në kirurgjinë orale. Për fat të keq, kur një dhëmb nuk mund të ruhet sepse është shumë i dëmtuar dhe mbushja është e pamundur, heqja e tij bëhet e domosdoshme.
Heqja e dhëmballëve të pjekurisë
Heqja e dhëmballëve të pjekurisë është gjithashtu një nga procedurat më të shpeshta në klinikën tonë. Ato hiqen për shkak të infeksionit, pozicionit të tyre, etj.
Kirurgjia pre-implantare (shtim kockor)
Implantet dentare konsiderohen mënyra më e mirë për zëvendësimin e dhëmbëve që mungojnë në gojë. Në rastet kur pacienti e ka humbur dhëmbin shumë kohë më parë, kirurgu duhet të vlerësojë nëse kocka e mbetur është e mjaftueshme për të mbajtur implantin. Kur nuk mjafton, trajtimi parësor konsiston në vendosjen e kockës artificiale për të rritur stabilitetin e implantit. Gjithashtu, në zonat e molarëve, kirurgu vlerëson edhe afërsinë me membranën e sinusit maksilar. Kur hapësira për implantin nuk mjafton, kirurgu kryen procedurën e quajtur “ngritje e sinusit” (sinus lift), ku ekspozohet kocka dhe më pas membrana e sinusit, dhe membrana ngrihet lehtësisht me instrumente të veçanta, në mënyrë që implanti të ketë lartësinë e duhur për të qëndruar në linjë me kafshimin (okluzionin).
Kirurgjia pre-protetike
Në rastet kur pacienti nuk mund të mbajë proteza fikse në gojë dhe kërkon një protezë të lëvizshme, kirurgu duhet të vlerësojë nëse nevojitet kirurgji përgatitore, në mënyrë që proteza e lëvizshme të ketë stabilitetin maksimal. Ndërhyrjet kryesore pre-protetike janë heqja e indeve të buta të tepërta, që kanë mbetur nga tërheqja e kockës pas mungesës së gjatë të dhëmbëve, dhe heqja e toreve, që janë neoformacione kockore në qiellzë ose brenda nofullës së poshtme dhe mund të pengojnë uljen e protezës.
Kirurgjia e gingivës
Kirurgji e mishrave të dhëmbëve për arsye estetike.
Trajtimi i infeksioneve dhe i abseseve
Në gjuhën mjekësore quhet drenim i abseseve. Abseset janë infeksione që vijnë nga prishja e rëndë e dhëmbëve ose nga zhveshja dhe lëvizja e tyre. Ato përhapen në mishrat e dhëmbëve dhe ndryshojnë në madhësi, nga një fryrje e lehtë rreth dhëmbit deri te një fryrje që duket nga jashtë dhe që mund të pengojë frymëmarrjen.
Heqja e kisteve
Kistet janë formacione me përmbajtje likide, që mund të kenë ose jo origjinë nga dhëmbët. Rritja e tyre është e ngadaltë, por nëse arrijnë përmasa të mëdha mund të shkaktojnë frakturë të kockës përreth. Kistet me origjinë dentare mund të vijnë nga një infeksion i apeksit të dhëmbit që rritet në mënyrë të pakontrolluar, nga rrënjë të mbetura pas një ekstraksioni të pasuksesshëm, nga daljet e dhëmbëve te fëmijët dhe nga dhëmbët e retinuar në kockë. Gjatë ekzaminimeve bazë radiologjike, kur vihet re prania e një kisti, këshillohet heqja e tij sa më shpejt, në mënyrë që të shpëtohet dhëmbi, por edhe kocka përreth.